Wednesday, March 3, 2021
Home > Uncategorized > Zoti e krijoi Ademin [alejhis-selam] nga një grusht dheu që e mori nga gjithë dheu i tokës

Zoti e krijoi Ademin [alejhis-selam] nga një grusht dheu që e mori nga gjithë dheu i tokës

Etapa e parë është mbledhja e dheut, që do të përdorej për krijimin e Ademit [alejhis-selam]. Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Zoti e krijoi Ademin [alejhis-selam] nga një grusht dheu që e mori nga gjithë dheu i tokës.”

Zoti dërgoi Xhibrilin [alejhis-selam] , të cilit i tha: ”Shko dhe merr një grusht dhe nga toka.” (Ebu Daudi, 4693)

Në një hadith tjetër, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Zoti e krijoi Ademin [alejhis-selam] nga një grusht dhe, të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Si rezultat erdhën njerëzit me ngjyra të ndryshme, të kuq, të bardhë dhe të zinj. Nga kjo rrjedhin dhe njerëzit zemërbutë, të pakuptueshëm dhe të këqinj.” Ky hadith na tregon se ngjyrat e ndryshme të njerëzve erdhën si rezultat i ngjyrave të dheut që u mor për të krijuar Ademin [alejhis-selam]. Po kështu, të ndryshme erdhën dhe natyra dhe tiparet e secilit. Ku shohim se kemi njerëz të pabindur, të këqinj dhe njerëz të mirë. Ashtu siç kemi tokë pjellore, tokë që nuk e mban ujin … etj. Ka njerëz të këqinj me të cilët nuk bën dobi asnjë këshillë dhe asnjë fjalë. Ka toka të tilla që çfarëdo lloj plehërash dhe mjetesh të përdorësh, nuk kthehen në toka pjellore. Ka toka që përfitojnë dhe nga uji dhe nga drita e diellit, ashtu siç ka njerëz me të cilët merresh vesh me dy fjalë.

A e shikon o njeri se cila është origjina jote? Thjesht dhe! Zoti me Madhështinë e Tij e bëri këtë dhe të flasë, të mendojë, të prodhojë anije kozmike me të cilat ngjitet në hënë … etj. I pa të meta është Ai që e krijoi njeriun me këto aftësi. Si është e mundur që kjo krijesë e ardhur nga dheu, t’i thotë “jo” Krijuesit të saj?! Si është e mundur që të mos u bindet urdhërave dhe porosive të Tij?! Si vallë ka njerëz që pijnë alkool, bëjnë imoralitet …?! Si vallë refuzon kjo krijesë t’i përulet Krijuesit të saj?! Thotë Zoti në Kur’an:

“Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai! Po nga se e krijoi atë? Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti. Pastaj atij ia lehtësoi rrugën. Më pas ia mori jetën dhe e varrosi. Pastaj kur të dojëAi e ringjall.”(Abese: 17-22)

Proceset e krijimit të Ademit [alejhis-selam] na tregojnë që sa të dobët jemi si njerëz dhe se duhet të shfaqim nevojën dhe përulësinë tonë ndaj Krijuesit.

Njeriu i parë e mori emrin “Adem”, emër që rrjedh nga fjala “edim” që do të thotë: Sipërfaqja e tokës nga e cila u krijua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: