Sunday, January 17, 2021
Home > Uncategorized > PËRSËRITJA E AJETEVE

PËRSËRITJA E AJETEVE

PËRSËRITJA E AJETEVE

Qëllimi i përsëritjes është të ndalurit për të kujtuar
kuptimet. Ndaj, sa herë që shtohet përsëritja, aq më
shumë shtohen domethëniet që kuptohen nga citati.
Gjithashtu, përsëritja mund të arrihet spontanisht nga të
mrekulluarit e asaj që lexon, fakt që vërehet në jetën e
përditshme të njerëzve.

Kur ndokush mrekullohet prej
ndonjë fjalie a rrëfimi, ia përsërit vetes ose të tjerëve.
Përsëritja është rezultat dhe fryt i të kuptuarit dhe
meditimit, si dhe mjet drejt tyre, nëse nuk ekzistojnë ato.
Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë: “Mos e
lexoni Kuranin siç e hidhni rërën e as siç e lexoni poezinë,
por lexoni ngadalë dhe ndaluni me mrekullitë e tij. Lëvizni
zemrat dhe qëllimi juaj të mos jetë përfundimi i sures.”115
Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i
Dërguari i Allahut është falur me një ajet deri në agim duke
e përsëritur:

“Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata,
me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.”
(Maide, 118)116

Ibad ibn Hamza, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Ndërsa hyra
tek Esma, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, lexonte fjalën
e Allahut të Lartësuar:
“Por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga
era përcëlluese (e Zjarrit).” (Tur, 27) qe ndalur te ky ajet, i
kërkonte mbrojtje Allahut dhe lutej. Ibadi thotë: “Vajta në
treg, i kreva nevojat e mia e u ktheva, kurse ajo ishte tek ai
ajet, kërkonte mbrojtje dhe lutej.”117

Kasim ibn Ebi Ejubi, Allahu e mëshiroftë!, transmeton se
Seid ibn Xhubejri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, e përsëriti
këtë ajet:
“Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu.”
(Bekare, 281) njëzet e disa herë.”118
Muhamed ibn Kab el Kuredhi, Allahu e mëshiroftë!, thotë:
“Të lexoj Idha zulziletil erdu zilzaleha dhe El Karia duke i
përsëritur e duke i medituar është më e dashur për mua
sesa ta lexoj tërë Kuranin brenda natës.”119
Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë!, një natë e përsëriti
fjalën e Allahut të Lartësuar:
“Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund
t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe
Mëshirplotë.” (Nahl, 18) derisa qe gdhirë. Kur dikush ia

përmendi këtë, i tha: “Në këtë ajet ka mësim. Ngado që e
ngremë dhe e drejtojmë syrin kemi mirësi, kurse mirësitë
e Allahut që nuk i dimë janë më shumë.”120
Temim ed Dari, Allahu qoftë i kënaqur me të!, qe falur me
një ajet derisa është gdhirë: “A mos mendojnë ata që
bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata
që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta
dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë
ata!” (Xhathije, 21)121
Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Ta përsëritë dikush
një ajet deri në agim është traditë e gjeneratave të
parë.”122

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Shumë prej
gjeneratave të para e kalonin tërë natën ose pjesën më të
madhe të saj me një ajet të vetëm duke e medituar gjatë
leximit.”123
Ibn Kudame, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Le ta dijë lexuesi
se ajo çfarë lexon nuk është fjalë e njerëzve. Ta kujtojë
Madhërinë e Folësit, Allahut të Lartësuar, si dhe le t’i
meditojë fjalët e Tij, ngase qëllimi i leximit është meditimi,
që arrihet vetëm me përsëritjen e ajetit, ndaj le ta
përsërisë atë.”124

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: