Tuesday, November 24, 2020
Home > Uncategorized > STREHE E SIGURTE

STREHE E SIGURTE

STREHE E SIGURTE

Në Kuran, Allahu na tërheq vëmendjen ndaj një vetie mjaft interesante të qiellit:

“Qiellin e kemi bërë si strehë të sigurtë e të mbrojtur…” (El Enbija 32)

Kjo veti e qiellit është vërtetuar prej kërkimeve shkencore të kryera në shekullin XX.

Atmosfera, e cila rrethon tokën, kryen shërbime jetike për të siguruar vazhdimësinë e jetës. Duke shkatërruar mjaft meteorë të mëdhenj e të vegjël gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur tokën, ajo i ndalon ata që të përplasen me tokën dhe të dëmtojnë gjallesat.

Për më tepër, atmosfera filtron rrezet e dritës që vijnë nga hapësira, të cilat janë të dëmshme për krijesat e gjalla. Fakti më interesant është se vetëm rrezet e padëmshme e të nevojshme – drita e tejdukshme, rrezet e shkurtra ultraviolet dhe valët e radios – janë në gjendje të përshkojnë atmosferën. I gjithë ky rrezatim është i domosdoshëm për jetën. Atmosfera lejon kalimin vetëm të një pjese të rrezeve të shkurtra ultraviolet, të cilat janë mjaft të domosdoshme për procesin e fotosintezës te bimët dhe për ekzistencën e të gjithë gjallesave. Pjesa më e madhe e rrezeve të gjata ultraviolet të lëshuara nga dielli filtrohen prej shtresës së ozonit në atmosferë dhe vetëm një pjesë e kufizuar dhe esenciale e tyre arrijnë në Tokë.

Vetia mbrojtëse e atmosferës nuk mbaron këtu. Atmosfera mbron gjithashtu tokën prej të ftohtit ngrirës të hapësirës, i cili arrin deri në minus 270 gradë celcius.

Atmosfera lejon që të arrijnë në Tokë vetëm rrezet e nevojshme për jetën. Për shembull, rrezet ultraviolet arrijnë në Tokë në një përpjestim të caktuar. Vetëm në sajë të këtij fakti është e mundur kryerja procesit të fotosintezës te bimët dhe, rrjedhimisht, vazhdimi i jetës për të gjitha gjallesat.

Ky ilustrim na tregon meteorët, të cilët janë gati për tu përplasur me tokën. Trupat qiellorë, gjatë udhëtimit në hapësirë, mund të paraqesin kërcënim serioz për Tokën, por Allahu, i Cili ka krijuar çdo gjë në mënyrën më të përkryer, e ka bërë atmosferën një “strehë mbrojtëse”. Falë kësaj mbrojtjeje të përkryer, gati të gjithë meteorët nuk mund ta dëmtojnë Tokën, sepse kur arrijnë atmosferën ata shpërbëhen në miliona copa të vogla.

Pjesa më e madhe e njerëzve, kur shohin qiellin, nuk mendojnë rreth vetive mbrojtëse të atmosferës. Ata thuajse nuk mendojnë kurrë se çfarë vendi do të kishte qenë Toka nëse kjo strukturë nuk do të ekzistonte. Fotografia lart paraqet një krater gjigand të krijuar nga një meteor, i cili ra në Arizona, në SHBA. Sikur të mos ekzistonte atmosfera, miliona meteorë do të binin në Tokë dhe ajo do të bëhej një vend i pabanueshëm. Por vetitë mbrojtëse të atmosferës bëjnë të mundur që krijesat të jetojnë të sigurta. Kjo është sigurisht mbrojtja që Allahu ka vendosur për njerëzit, e cila është shpallur në Kuran.

Nuk është vetëm atmosfera ajo që e mbron Tokën nga efektet shkatërruese dhe dëmtuese të hapësirës. Së bashku me atmosferën, brezi Van Alen, një shtresë, e cila krijohet si rezultat i fushës magnetike të Tokës, gjithashtu shërben si një fushë mbrojtëse kundër rrezatimeve të dëmshme, të cilat kërcënojnë planetin tonë. Ky rrezatim, i cili vazhdimisht lëshohet prej diellit dhe yjeve të tjera, është vdekjeprurës për gjallesat. Nëse brezi Van Alen nuk do të ekzistonte, energjia e shpërthimeve masive të quajtura shpërthime diellore, të cilat hasen vazhdimisht në Diell, do të shkatërronin çdo formë jete në Tokë.

Dr. Hugh Ross, duke folur mbi rëndësinë që ka për jetën tonë brezi Van Alen, ndër të tjera thotë:

Në fakt, Toka ka dendësinë më të lartë se çdo planet tjetër në Sistemin Diellor. Bërthama e madhe e hekur-nikelit është shkaku i ekzistencës së fushës sonë të madhe magnetike. Kjo fushë magnetike formon shtresën mbrojtëse kundër rrezatimit Van-Alen, e cila e mbron Tokën nga rrezet bombarduese. Nëse nuk do të ishte kjo mburojë, jeta në Tokë do të ishte e pamundur. I vetmi planet tjetër shkëmbor që ka fushë magnetike është Mërkuri, por fuqia e fushës së tij është 100 herë më e vogël se e Tokës. Madje as Venusi – planeti ynë “motër” – nuk ka fushë magnetike. Mburoja rrezatuese Van-Alen është një dizenjim unik për Tokën.

Shtresa magnetosferike e formuar prej fushës magnetike të Tokës i shërben asaj si një fushë mbrojtëse prej trupave qiellorë dhe rrezeve kozmike të dëmshme. Në foton lart duket qartë kjo shtresë magnetosferike, e cila quhet ndryshe Brezat Van Alen. Këta breza rrethues ndodhen me mijëra kilometra larg Tokës dhe mbrojnë të gjitha krijesat në tokë prej energjisë shkatërruese të ardhur nga hapësira.
Të gjitha këto zbulime shkencore vërtetojnë se Toka është e mbrojtur në një mënyrë tepër të veçantë. Gjëja më e rëndësishme është se kjo “mbrojtje” na u bë e njohur në Kuran 1400 vjet më parë, në ajetin: “Qiellin e kemi bërë strehë të sigurtë e të mbrojtur.”

Energjia e çliruar në një prej këtyre shpërthimeve të viteve të fundit është e barabartë me energjinë e çliruar nga shpërthimi i 100 miliardë bombave atomike, si ajo që u hodh në Hiroshimë. Pesëdhjetë e tetë orë pas shpërthimit, u vërejt se gjilpërat magnetike të busullave paraqitnin një lëvizje jo të zakonshme dhe 250 km mbi atmosferën e Tokës, temperatura u rrit menjëherë në 2500 gradë Celcius.

Energjia që çlirohet nga një shpërthim diellor është kaq e madhe, saqë mendja e njeriut e ka të vështirë ta konceptojë. Një shpërthim i vetëm është i barabartë me energjinë e çliruar nga 100 miliardë bomba atomike si ajo e hedhur në Hiroshimë. Bota është e mbrojtur nga efektet shkatërruese të kësaj energjie prej atmosferës dhe brezit rrethues Van Alen.

Duke u larguar prej Tokës, e cila është e përshtatur në mënyrë të përkryer për jetën njerëzore, përtej atmosferës, në hapësirë ne hasim një të ftohtë ngrirës. Bota është e mbrojtur prej të ftohtit ngrirës të hapësirës, i cili arrin në – 270oC, në sajë të atmosferës.

Me pak fjalë, një sistem i përkryer funksionon mbi Tokë. Ai e rrethon botën tonë dhe e mbron prej kërcënimeve të jashtme. Vetëm në kohët e fundit shkencëtarët arritën të mësojnë disa gjëra rreth tij, kurse Allahu na ka njoftuar në Kuran për mburojën mbrojtëse të Tokës që shekuj më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: