Thursday, November 26, 2020
Home > Uncategorized > Recetë e shpejtë lumturie

Recetë e shpejtë lumturie

Recetë e shpejtë lumturie

Lumturia po kërkohet në çdo qoshe sot, për të lexohen kushedi sa libra, radhë të gjata në klinikat psikologjike, kontakte me terapistë etj… Lumturia mund tu ketë trokitur kushedi sa herë në zemrat dhe shtëpitë e tyre, por që është kthyer mbrapsht sërish.

Nga përvoja ime, e kam parë të dobishme të mos i shohësh ditët, muaj, vitet dhe jetën si një tërësi e vetme, por të shkëputura dhe të ndara; vitet, muajt, javët, ditët, orët, minutat…

Kur ngrihem nga gjumi, ky është një rizgjim i ri ku do të kaloj me orë të tëra të mbushura me programe, takime, shkrime, lexime, ushqim, muhabete etj… Me qëllim që çdo moment të jetë i lumtur, duhet punuar shumë me zanafillën dhe fillimin e tij, përmbajtja e një libri kuptohet nga titulli i tij.

Me të hapur sytë dhe me të ndjerë rrymën e jetës të vlojë në të gjithë trupin dhe trurin, e programoj veten duke menduar me optimizëm. Nuk u jap shans asnjëherë vështirësive të më befasojnë, as presioneve të më sulmojnë. Jam mësuar, ose më mirë të them e kam programuar veten, që të marr abdes dhe të fal dy rekate për hatër të Zotit, të cilat më pastrojnë shpirtin dhe më motivojnë psikologjikisht si asgjë tjetër. Ato më pastrojnë nga mbetjet e ndonjë gabimi dhe shkarjeje të nefsit tim, familjes apo të tjerëve. Njëkohësisht më kujtojnë vlerat më të bukura dhe më madhështore në univers, e që në fund të fundit, nuk më marrin ndonjë kohë të madhe.

E nëse nuk je privuar nga prindërit, siç jam unë, çele mëngjesin me një puthje në ballin e tyre të njomë nga sexhdet, por dhe duart e tyre bujare.

Derisa të përfundoj namazin, celulari ka filluar aktivitetin e tij duke pritur kushedi sa mesazhe të dërguara gjatë gjumit. Leximi i tyre më fal kënaqësi, pasi këto mesazhe përbëhen nga vargje të bukura, disa fjalë të ngrohta nga një mik, urime, lutje etj…

Përjashtim nuk bëjnë as sharjet dhe ofendimet, të cilat i kaloj siç kalojnë sojlinjtë pranë sojsëzëve. Zakonisht kur e kuptoj përmbajtjen plot vrer të saj, thjesht shtyp butonin “delete” për të mos i lejuar të ma turbullojnë mendjen dhe logjikën. Nëse goditja të vjen nga pas, dije se je në krye, prandaj falënderoje Zotin që të ka bërë të kuptosh çka se kanë kuptuar, e njëkohësisht, të ka pajisur me durim dhe urtësi.

Leximi i shpejtë i gazetave. Leximi është kënaqësi më vete. Por mos lejo që materiali që lexon ta prishë kënaqësinë. Është e bukur që njeriu ta mësojë veten me të lexuarit pozitiv, pasi kështu mëson shumë urtësi hyjnore në univers dhe përreth tij, të cilat nuk mund ti mësosh ndryshe. Leximi të fal kënaqësi, sidomos kur lexon ndonjë lajm të gëzuar, pasi është pjesë e recetës së lumturisë.

Por edhe nëse lexon ndonjë artikull që merret me ty, pra të sulmon, thjesht lexoje me idenë se shkarravitësi i artikullit e ka shkruar për dikë tjetër, se është “X” personi që ofendohet dhe shahet. Nëse e bën këtë, vallë a do ndjesh se shkarravitësi po e shkatërron një herë e mirë atë personin, apo se kjo mënyrë e të shkruarit është diçka normale. Sa libra e artikuj janë shkruar për mbretër, kolosë, dijetarë e historianë, por që s’u ka hyrë gjemb në këmbë.

Vakti i mëngjesit zakonisht është i lehtë dhe në shoqërinë e njerëzve të dashur. Konsumoje këtë vakt sikur nuk ke asnjë hall dhe shqetësim veç tij dhe hiqe nga mendja çdo gjë që të nxit të mbarosh shpejt e shpejt.

Filloja me takimet dhe kontaktet e rëndësishme dhe të dobishme.

Ky është një zakon i domosdoshëm për të filluar një ditë të bukur dhe të lumtur. Kur ta kesh programuar me sukses si një zakon të jetës tënde të përditshme, do e gjesh ndikimin dhe efektin e saj çdo ditë, tek qetësia, gëzimi, aktiviteti dhe çdo hap që bën. Përjashtimet s’kanë përse ta errësojnë dritën e diellit.

Mos harro që kur të zgjohesh nga gjumi, të thuash:

“Falënderoj Zotin i cili na ringjalli pas vdekjes dhe tek Ai do të kthehemi”.

“Falënderoj Zotin i cili ma ktheu shpirtin, më ka dhënë shëndet në trup dhe ma ka bërë rizk ta falënderoj.”

Kije gjithmonë ndërmend që jeta është një mirësi e madhe, të cilën duhet ta fillojmë me falënderimin dhe lëvdimin e Zotit. Truri dhe logjika duhet të fokusohen tek gjërat më pozitive në ato çaste, a nuk po të rikthehet jeta dhe shëndeti, besimi dhe mirënjohja ndaj Zotit të botrave.

Vallë si ndihesh teksa i lexon këto rreshta?

Nëse je optimist dhe kjo recetë nuk të vyen, shih diçka tjetër. Sado të bukura të kenë qenë këto këshilla, në fund të fundit nuk janë shpallje hyjnore. Ato mund ti vyejnë dikujt dhe të mos i vyejnë dikujt tjetër.

E lus Zotin të na janë lumturi dhe kënaqësi në këtë jetë! Lavdet dhe mirënjohja i takojnë vetëm Atij! Ai është sunduesi i botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: