Wednesday, November 25, 2020
Home > Uncategorized > SADAKAJA KA DOMETHËNIE TË MADHE DHE SADAKADHËNËSI KA POZITË TË LARTË

SADAKAJA KA DOMETHËNIE TË MADHE DHE SADAKADHËNËSI KA POZITË TË LARTË

Sadakaja llogaritet prej veprave më të mira dhe më të dashura tek Allahu. Argument për këtë është hadithi të cilin e përcjell ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë gëzimi që e fut tek besimtari, ose t’ia lehtësosh atij vuajtjen, ose t’ia shlyesh atij borxhin ose ta largosh prej tij urinë.” (1)Me një transmetim tjetër ka ardhur: “Prej veprave më të mira janë: futja e gëzimit tek besimtari, shlyerja e borxhit të tij, plotësimi i nevojës dhe lehtësimi i brengës së tij.” (2)

Madje sadakaja krenohet dhe lavdërohet para veprave tjera. Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, rreth saj thoshte: ‘Veprat lavdërohen njëra para tjetrës dhe lëmosha ju thotë: Unë jam më e mira në mesin tuaj.’ (3)

Pozitën e lartë që e zë sadakaja reflektohet edhe tek sadakadhënësi, ai është në një pozitë të lartë, ashtu siç i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Dynjaja është për katër veta: Një rob që Allahu e ka furnizuar me pasuri dhe me dituri. Ai i shfrytëzon ato dhe ka frikë respekt ndaj Zotit të tij në to. Me to mban lidhjet farefisnore, e mëson të drejtën (hakun) e Zotit në to. Kjo është pozita më e vlefshme (në Xhenet)…” (4)

Sadakadhënësi llogaritet dora e epërme, ashtu siç lajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe tha: “Dora e epërme është më e mirë se sa dora e poshtme. Dora e epërme është ajo që jep, kurse e poshtme është ajo që kërkon.” (5)

Sadakadhënësi llogaritet ndër më të mirit në mesin e njerëzve për shkak dobisë që ua bën të tjerëve. Ka ardhur me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Më i miri prej njerëzve është ai më dobiprurësi për ta .” (6)

Sadakadhënësi në ahiret bën pjesë në mesin e bamirësve dhe për këtë aludon hadithi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Bamirësit në dynja do të jenë edhe bamirësit e ahiretit.” (7)

Pozitën e lartë që e zë sadakadhënësi nuk përkufizohet vetëm se me botën tjetër, por ajo pozitë e përfshin edhe në dynja. Andaj, kush dorën e liron do sundon, kurse kush dorën e shtrëngon do poshtërohet.

Madje Muhamed ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, tha: ‘Kushdo që sundoi dhe udhëhoqi në periudhën e para Islamit dhe të Islamit derisa u njoh me sundim dhe populli i nënshtrohej dhe për tek ai udhëtonin i largëti dhe i afërmi, nuk mundi ta arrin përsosmërinë e këtij sundimi përveçse me ushqimin e të varfrit dhe me nderimin e mysafirit.’ (8)

Sadakadhënësi është mbi atë që e merr sadakanë derisa thuhet: ‘Sadakadhënësi e merr peng falënderimin dhe me sadakanë e tij e robëron të lirin.’ (9)

Prandaj ibën Semaki thoshte: ‘Çudi me atë njeri që me pasuri i blen skllevërit dhe me mirësi nuk i blen të lirët!’ (10)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

————————–————————–———————

(1) Kada El Hevaixh, Ibën Ebi Dunja, 40/36; shejh Albani hadithin e vlerësoi si të saktë në Sahih El Xhami 1/97 numri hadithit 176.

(2)Shuab El Iman, Imam El Bejhakiu 6/123, numri hadithit 7679; shejh Albani e vlerësoi si të saktë në Sahih El Xhami 2/1025, numri hadithit 5897.

(3)Sahih Ibën El Huzejme 4/95, numri hadithit 2433; Mustedrek, Imam Hakimi 1/416 dhe tha ky hadith është i saktë sipas kritereve të dy imamëve, Buhariut dhe Muslimit, mirëpo ata nuk e kanë nxjerrë hadithin.

(4)Xhamiu Et Tirmidhij 4/562-563, nr. 2325 dhe tha hadithi është hasen sahih; shejh Albani e saktësoi në Sahih Et Tirmidhij 2/270, nr. 1894.

(5)Sahih Muslim 1/717, nr. 1033.

(6) Shuab El Iman, Imam El Bejhakiu 6/117, numri hadithit 7658; shejh Albani e vlerësoi si të mirë në Sahih El Xhami 1/623, numri hadithit 3289.

(7) El Edebu El Mufred, Buhariu, fq.86, nr. 221; shejh Albani e saktësoi në Sahih El Xhami, 1/407, nr. 2031.

(8) Reudatul Ukala, Ibën Hiban, fq. 214.

(9) Shih: El Adab Esh Sher’ijeh, Ibën Muflih 1/310.

(10)Reudatl Ukala, Ibën Hiban, fq. 195.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: